|
|
|
Meta-Miloshoskin: Ju na mbėshtesni pėr vizat, ne pėr NATO-n |
|
|
|
Zv Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta si dhe kryediplomati maqedonas në gjuhën shqipe konfirmuan se "Maqedonia dhe Shqipëria janë vende fqinj dhe mike, të cilat kanë të njëjtat aspirata dhe sfida. Liberalizimi i vizave për Shqipërinë dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, (për shkak të konfliktit me Greqinë për emrin) janë dy aspiratat ku ministrat garantuan njëri tjetrin se do japin ndihmën e çmuar. Kreu i diplomacisë maqedonase së bashku me ministrin e Jashtëm Ilir Meta zhvilluan një konferencë të përbashkët shtypi sot paradite në ambientet e ministrisë së jashtme në Tiranë.
Zoti Meta përshëndeti arritjen pozitive për gjithë qytetarët e Maqedonisë, që ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Ai shprehu besimin se "edhe Shqipëria do ta fitojë liberalizimin e vizave brenda këtij viti". Nga ana e tij ministri maqedonas siguroi se "Maqedonia do të synojë që liberalizimi i vizave të arrihet brenda vitit 2010 për Shqipërinë".
Sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, Meta garantoi homologun maqedonas se Shqipëria do ta mbështeste fuqimisht dhe “shpreson që sa më shpejt të kapërcehet çdo pengesë që ka mbetur, për ta formalizuar dhe konkretizuar këtë anëtarësim". Nga ana e tij Milososki vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka kontribuar në forcimin e stabilitetit në rajon si dhe në rritjen e shkallës së përfaqësimit të rajonit tonë në NATO.
Gjatë konferencës Zoti Meta tha se intesifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, është në interesin e përbashkët të dy vendeve, dhe u përqëndrua në përpjekjet për të gjallëruar projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e Korridorit 8.
Nga ana e tij Ministri Miloshoski tha se për këtë projekt do të kërkohen edhe rrugët për të zgjeruar më tej marrëdhëniet në fushën ekonomike dhe tregtare.
Vizita e Miloshoskit në Tiranë zhvillohet kur në Maqedoni vlerësohet se disa projekte qeveritare po tensionojnë marrdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve .
Enciklopedia maqedonase, imponimi i mësimit të gjuhës maqedonase nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë, si dhe propozimi për ndërtime në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë të disa simboleve maqedonase, shqiptarët në Maqedoni i shikojnë si projekte që i japin fund Marrëveshjes së Ohrit.
Z. Meta tha sot në konferencë se “përshpejtimi i zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit është shumë i rëndësishëm. Sipas tij Marrëveshja e Ohrit promovon zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Meta vlerësoi rolin shumë pozitiv që vendi fqinj ka luajtur për stabilitetin e rajonit. Ai vecoi "nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes tyre".
Nga ana e tij, ministri Miloshoski siguroi se "Maqedonia do të vazhdojë të punojë, në mënyrë që të bëhet model i një shoqërie multietnike dhe i një demokracie funksionale".
Dy homologët ranë dakord për të forcuar më tej konsultimet diplomatike dhe për të shkëmbyer vizita në nivelet më të larta gjatë këtij viti. Nënshkrimi sot i marrëveshjes për bashkëpunim mes dy ministrive të jashtme dhe dy akademive diplomatike, sipas Ministrit Meta, janë tregues i vullnetit për të intesifikuar më tej konsultimet diplomatike në të gjitha çështjet.
Ministri Milososki vlerësoi projektin për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, ku shtetasit do të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Ai shprehu bindjen se "kjo gjë do t'i shërbejë dhe identifikimit të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe integrimit të tij në shoqërinë shqiptare"
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministri i Jashtëm maqedonas do të zhvillojë takime dhe me presidentin Topi, kryeministrin Berisha dhe kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli. |
|
|