|
|
|
GJND: Kosova nuk ka shkelur tė drejtėn ndėrkombėtare Berisha: Vendimi, historik |
|
|
|
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, publikoi pasditen e sotme opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Gjatë fjalës së tij Kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha se shpallja e pavarsisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare
Ora: 17:04- Hyseni: Tani dialog me Serbinë si të barabartë Pas verdiktit për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës, dhënë pak më parë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha "presim që Serbia të drejtohet nga ne për diskutime".
Ora: 16:56- Berisha: Vendimi i GJND-së, historik Kryeministri Berisha ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së vendimit të trupit gjykues, kreu i qeverisë doli në një konferencë për shtyp duke u shprehur se “Gjykata e Hagës iu garantoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës është në frymën e plotë të së drejtës ndërkombëtare”.
Ndërsa e konsideroi, historik vendimin e sotmëm të GJND-së, Berisha tha se ky fakt përbën një detyrim të madh, inkurajim madhor që shqiptarët të angazhohen për ndërtimin dhe konsoldiimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Ndër të tjera kryeministri Berisha theksoi se vendimi GJND-së do të ketë kontribut në një qëndrim të ri të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbeve.
“Shqiptarët dhe Serbët, dy kombe të rëndësishem në rajon, që pavarësisht nga historia e shkuar kanë tani të përbashkët idealin europian.Qeveria shqiptare është e vendosur të kontribuojë për një qëndrim të ri në marrëdhëniet Tiranë-Beograd” u shpreh Berisha përpara mediave.
Ora 16.40- GJND vendos, pavarësia nuk shkel ligjet ndërkombëtare Me 10 vota pro dhe 4 kundër anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kanë vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar hapur kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ka qënë Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hiasashio Ovada ai që ka lexuar vendimin final.
Sipas Presidentit Ovada shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk ka shkelur asnjë dokument të Kombeve të Bashkuara. Presidenti i Gjykatës deklaroi se 10 nga 4 vota mendojne se pavarësia nuk shkel të drejtën ndëkombëtare. Në këtë aspekt, ai ka përmendur ecurinë e tërësishme të zhvillimve politike në Kosovë, që kanë të bëjnë me vendosjen e misionit të OKB-së në Kosovë, vendosjen e KFOR-it e të tjera.
Sipas tij pavarësia e Kosovës nuk shkeli rezolutën 1244, pasi kjo rezolutë merret me gjendjen në Kosovë, ndërsa shton se shpallja e pavarësisë është proces politik dhe jo ligjor. Ovada shton se ndarja e Kosovës nga Serbia nuk shkel asnjë prej dokumentave të OKB-së.
Opioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe pse ka vetëm funksion këshillues pritet të inkurajojë më shumë vende që ta njohin pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008. Dje SHBA, deklaruan se do të kishte rreth 40 njohje të reja të pavarësisë nëse GJND vendoste në favor të Kosovës.
Ora 15:00- GJND jep vendimin për pavarësinë e Kosovës Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, do të publikojë pasditen e sotme opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Rasti u dërgua në Gjykatë përmes Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila me shumicë votash mbështeti kërkesën e Serbisë.Opinioni i GJND-së nuk është i detyrueshëm, ka vetëm fuqi këshilluese, por ekspertët besojnë se mund të ndikojë në masë të konsiderueshme në rajon dhe në situata të ngjashme në botë.
Në seancën e sotme në Hagë do të jetë i pranishëm edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe homologu i tij serb Vuk Jeremiç. Ky i fundit ka deklaruar në prag të vendimit të sotëm se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë. Jeremiç ka theksuar se Beogradi do ta çojë çështjen në vjeshtën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Dhjetorin e kaluar Gjykata dëgjoi argumentat e përfaqësuesve të rreth 30 shteteve. Vende si Kina, Rusia e Spanja e kundërshtuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës edhe para GJND-së. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara ishin në krye të vendeve që mbështetën pavarësinë e Kosovës. Një numër vendesh të Bashkimit Evropian, por dhe vende si Kroacia e Sllovenia, të dala nga shpërbërja e ish Jugosllavisë mbështetën shtetin e Kosovës para drejtësisë ndërkombëtare.
Udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe ekspertët kosovarë të së drejtës ndërkombëtare vlerësojnë se pavarësia është e pakthyeshme, pavarësisht vendimit të GJND-së. Ky mendim është formuluar dhe nga drejtues të lartë të SHBA-ve dhe ekspertë ndërkombëtarë. |
|
|